
“Po—aq shumë sa nuk e kuptojmë.”
Shprehja e njohur thotë se bukuria është në sy të shikuesit. Kjo tregon se bukuria ndryshon shumë dhe është unike për çdo person, prandaj përpjekja për ta analizuar shkencërisht dhe për të nxjerrë parime të përgjithshme shpesh është e pasaktë.
Bukuria, mund të thuhet, gjendet në trurin e shikuesit. Truri ynë është më shumë i ngjashëm sesa i ndryshëm, dhe kur bëhet fjalë për fytyrat, shumica e njerëzve bien dakord për atë që konsiderohet e bukur. Studime të realizuara para një dekade treguan se truri reagon automatikisht ndaj fytyrave të bukura (Chatterjee, Thomas, Smith, & Aguirre, 2009; Kim, Adolphs, O’Doherty, & Shimojo, 2007).
Disa pjesë të trurit reagojnë ndaj bukurisë së një fytyre edhe kur ne po mendojmë për gjëra të tjera, si forma apo identiteti i fytyrës. Korteksi vizual, pranë gjirusit fusiform që përpunon fytyrat dhe objektet, tregon rritje aktiviteti nervor në përpjestim me bukurinë e fytyrës. Po ashtu, pjesë të sistemeve të shpërblimit, si nukleusi akumbens dhe korteksi orbitofrontal, reagojnë automatikisht ndaj bukurisë së fytyrës.
Nëse truri ynë reagon automatikisht ndaj bukurisë së fytyrës, si shprehet kjo? Ndoshta bukuria reflektohet në mënyrën se si lëvizim. Për të testuar këtë, Natalie Faust, George Christopoulos dhe unë analizuam lëvizjet e duarve dhe syve të njerëzve ndaj fytyrave të bukura, ndërsa ata kryenin një detyrë tjetër për të cilën bukuria nuk ishte e rëndësishme (Faust, Chatterjee, & Christopoulos, 2019). Fillimisht përdorëm një grup fytyrash që ishin vlerësuar më parë për tërheqësinë: 10% më tërheqësat u quajtën të bukura, 10% më pak tërheqësat si jo të bukura, dhe të tjerat si neutrale.
Detyra ishte e thjeshtë. Njerëzit shihnin një numër në fund të ekranit dhe dy numra të tjerë në këndin e sipërm, majtas dhe djathtas. Ata duhej të përcaktonin cili nga dy numrat e sipërm ishte më afër numrit në fund. Çdo numër i sipërm shoqërohej me një fytyrë, e cila nuk kishte lidhje me detyrën. Fytyrat mund të ishin tërheqëse, jo tërheqëse ose neutrale. Në disa prova, numri më i afërt shoqërohej me një fytyrë të bukur, në disa me një fytyrë jo të bukur, dhe në të tjerat me fytyra neutrale. Në eksperimente të veçanta, ne regjistruam lëvizjet e syve dhe gjymtyrëve të pjesëmarrësve kur tregonin numrin më të afërt.
Në eksperimentin e parë, pjesëmarrësit përdorën maus për të zgjedhur përgjigjen. Trajektorja e lëvizjes së dorës u regjistrua. Kur numri i parëndësishëm shoqërohej me një fytyrë të bukur, duart e pjesëmarrësve lëviznin drejt asaj fytyre përpara se të arrinin te numri i saktë. Një fytyrë jo e bukur nuk ndikonte në lëvizje. Kjo tregon se fytyrat e bukura ndikojnë automatikisht në lëvizjet tona, edhe kur ne duhet vetëm të përqendrohemi te numrat.
Lëvizjet e syve të pjesëmarrësve ishin të ndryshme nga lëvizjet e dorës. Sytë u tërhoqën dhe qëndruan më gjatë tek fytyrat e bukura dhe ato jo të bukura, krahasuar me fytyrat neutrale, kur këto fytyra ishin në pozicione jo të rëndësishme për detyrën. Pra, sytë na tërheqin tek fytyrat që dallohet nga të tjerat, qoftë të bukura apo jo, duke treguar se reagimi i syve lidhet më shumë me dallueshmërinë e fytyrës sesa me bukurinë e saj.
Për të përmbledhur, sistemi ynë vizual percepton dhe vlerëson fytyrat për bukuri edhe kur ky vlerësim është i parëndësishëm për detyrën që një person po kryen. Ky informacion i transmetohet sistemit tonë motorik, i cili udhëzon se si lëvizin gjymtyrët dhe sytë tanë. Megjithatë, përdorimi i gjymtyrëve dhe i syve ka qëllime të ndryshme. Dora lëviz për t’u afruar me bukurinë e fytyrës. Sytë lëvizin për të kërkuar dallueshmëri dhe janë gjithmonë vigjilentë ndaj të pazakontës, pa marrë parasysh nëse ato përjetohen me kënaqësi apo jo.
Bukuria, si duket, është në dorën e shikuesit—ajo na lëviz, në kuptimin e plotë të fjalës.
Ky artikull është përkthyer nga: Beauty and the Brain nga Anjan Chatterjee, 2009, https://www.psychologytoday.com/us/blog/brain-behavior-and-beauty/201909/are-you-moved-by-beauty


Artikull me te vertet interesant per te pare sesi perceptohet bukuria nga truri yne. 🙂
Welldone! This is very insightful!
Origjinaliteti është bukuri. 🙂